Kryebashkiaku Rama me tregtarët e Medresesë, fushata për balotazh – (11 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Edi Rama e mbajti fjalën, kjo shprehje është dëgjuar menjëherë nga goja e tregtarëve të vegjël tiranas, teksa shihnin kryebashkiakun e ri të përshëndeste ngrohtësisht njerëzit e tezgave. Në vizitën e dytë brenda një muaji, blerës dhe shitës të shumtë, në tregun buzë unazës dhe pranë Medresesë, kanë bashkëbiseduar me kryebashkiakun Rama, për krijimin e kushteve moderne në tregtimin e mallrave.
Rama nuk ka hezituar t’iu shtrëngoj dorën edhe atyre tregtarëve që nën zë shpreheshin se ishin demokratë. Me njërin prej këtyre demokratëve, Rama kuvendoi gjatë.
Edi Rama:- “Tani po qe puna për të majtë dhe të djathtë, hajde flasim për politikë. 8 vjet e pati PD Tiranën, çfarë bënë?”
Ai u tha qytetarëve se pas 8 vjetësh rrëmujash dhe shkatërrimesh, kryeqytetit i duhet një fytyrë e re europiane, ku të sundojë bashkëjetesa qytetare. Në takimet me banorët e njësisë bashkiake nr.8, kryebashkiaku Rama kërkoi votën për kandidatin socialist Gend Tafaji./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame