Kryemadhi i “vërsulet” Ramës


Kryemadhi i “vërsulet” Ramës

16:54 12/05/2017

Deputetja e LSI, Monika Kryemadhi ka postuar një status në rrjetin social Facebook, ku replikon me kryeministrin Edi Rama pas postimit të këtij të fundit, të dy fotove të qytetit të Lezhës se si ka qenë dhe se si duket sot. 

Kryemadhi ka thumbuar kryeministrin duke i thënë se Lezha ka qenë në drejtimin e duhur deri në vitin 2015, kur PS vendosi të mos bashkëpunojë më me LSI duke humbur zgjedhjet në këtë bashki. 

Para dy vitesh bashkia e Lezhës është drejtuar nga Viktor Tusha i LSI-së. 

Në një reagim në Facebook ajo shkruan:

“Është për t'u vlerësuar kujdesi që kryeministri tregon për Lezhën, qytet në fakt i transformuar dhe zbukuruar falë investimeve të qeverisë dhe punës së kryebashkiakut Viktor Tusha. Në këtë foto duket qendra e Lezhës si ka qenë dhe se si ka ndryshuar ajo falë punës tonë dhe angazhimit të të gjithë qytetarëve. Edhe më e bukur do të ishte, edhe më shumë punë, mirëqenie, rrugë, kanalizime, shkolla dhe çerdhe do të kishte Lezha nëse do të vijohej të drejtohej nga ata që përmirësuan ndjeshëm këtë qytet. Por kryeministri ndoshta ka harruar pakëz mosangazhimin ose drejtimin e gabuar që zgjodhi partia që ai drejton në zgjedhjet e 2015, i cili ndikoi ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve në Lezhë dy vite më parë. Sot Lezha dhe qytetarët e saj do të ishin më të mirë dhe më të begatë nëse Edi Ramën do ta dëgjonte më shumë dhe më seriozisht partia e tij në Lezhë për të fituar Lezhën dy vjet më parë. Por siç duket gjërat harrohen shpejt dhe sot kryeministri ka nostalgji për periudhën kur Lezha kishte drejtimin e duhur. Ndërsa selia që duket në foton e vjetër është e njëjta, me ndryshimin e vetëm se sot, në krahasim me dy vjet më parë ka më shumë të rinj e të reja që punojnë dhe motivohen për t'i rikthyer Lezhës dhe banorëve të saj dinjitetin që meritojnë. Sepse LSI është shans për të gjithë, edhe për ata që në dukje e nënvlerësojnë”.

 

 

Statusi i plotë i Edi Ramës

Ju uroj ditë të mbarë me këtë imazh të qendrës së Lezhës më 2013 dhe sot.

Por ende më shumë mbetet për të bërë dhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi tani. Prandaj do të jemi nesër më shumë se kurrë në këtë shesh #PërLezhënQëDuam

/tvklan.al

 





Të ngjashme