
Kryeministri francez përplaset me gazetën amerikane
Kryeministri francez, Manyel Val, akuzoi gazetën prestigjioze amerikane “The New York Times” se po “përshkruan një imazh të papranueshëm” për vendin e tij, pas publikimit të artikullit rreth ndalimit të kostumit karakteristik të banjës të përdorur nga gratë myslimane, i njohur ndryshe si Burkini.
Kreu i qeverisë franceze nuk e ka pritur mirë artikullin e të përditshmes amerikane, të cilës iu përgjigj me një tjetër artikull të publikuar në Huffingtonpost. Ai thotë se Franca është vendi i lirive dhe se shkrimi i “The New York Times” e shfaq atë në një mënyrë të gabuar.
Në Francë gratë janë të lira, ndalimi i burkinit nuk është gjë tjetër veçse pjesë e luftës për lirinë e gruas dhe barazinë gjinore, kundërpërgjigjet kryeministri francez.
“The New York Times” shkroi një artikull ku intervistonte disa gra franceze myslimane, të cilat u shprehën se ndihen të sulmuara padrejtësisht në Francë.
Vendimi i disa kryebashkiakëve francezë për ndalimin e kostumit të mbuluar të banjës ka ngjallur mjaft reagime në opinionin publik në vend. /TV KLAN