Mitsotakis: Zgjerohemi 12 milje në detin Jon
Dendias telefonatë me Ramën, pritet të vizitojë Tiranën
Kryeministri grek paralajmëron nënshkrimin e marrëveshjes për kufijtë detare me Shqipërinë. Duke folur në parlament gjate diskutimit për ratifikimin e marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin, Kiriakos Mitsotakis tha se Greqia po rritet dhe asgjë nuk e pengon zgjerimin me 12 milje në det.
“Greqia do ta rrisë zonën e saj detare nga 6 në 12 milje. Greqia po rritet. Të tjerë e kanë thënë këtë, por ne jemi ata që po e vënë në zbatim. Është një e drejtë që vendi ynë e rezervon ta ushtrojë në të ardhmen në zona të tjera detare, njësoj siç e kanë ushtruar fqinjët tanë. Duke respektuar konventën e ligjit për detin dhe zbatimin e vijës së mesme aty ku distanca mes brigjeve është më pak se 24 milje”, tha Mitsotakis.
Mitsotakis qartësoi se zgjerimi ka të bëjë me hapësirat në detin Jon dhe se Italia dhe Shqipëria tashmë janë informuar nga Ministri i Jashtëm, Nikos Dendias. Në fakt, Dendias njoftoi se kishte pasur një telefonatë me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edi Ramën.
Sipas Mitsotakis, shumë shpejt Ministri i Jashtëm i Greqisë do të vizitojë Tiranën për të diskutuar mbi çështjen e kufijve detare. Një projekt marrëveshje e negociuar në vitet 2017-2018 ka mbetur e ngrirë mes Tiranës dhe Athinës.
Një marrëveshje tjetër e firmosur mes Tiranës dhe Athinës në vitin 2010 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me arsyetimin se ishte e papajtueshme me Kushtetutën dhe se nuk ishin zbatuar parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare për një rezultat të drejtë dhe të ndershëm.
Tv Klan