Kryeministri Ilir Meta siguron për zgjedhje të lira e demokratike – (22 Shtator 2000)


Kryeministri Ilir Meta siguron për zgjedhje të lira e demokratike – (22 Shtator 2000)

10:49 22/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Kryeministri Meta i ka bërë sot një ftesë publike kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, për të diskutuar rreth listave të votuesve dhe normalitetit të zgjedhjeve. Meta ka siguruar se zgjedhjet në Shqipëri, do të zhvillohen në një atmosferë tepër normale, gjë e cila është reflektuar deri tani dhe në normalitetin e debateve mes kandidatëve kundërshtar.

Kryeministri Ilir Meta:- “Dëshiroj të sigurojë të gjithë qytetarët se qeveria shqiptare ka qenë dhe është tepër e angazhuar dhe e vendosur për të siguruar zgjedhje të lira, të qeta dhe demokratike, si asnjëherë tjetër. Për herë të parë u hartua dhe u miratua një kod elektoral i standardeve europiane, bashkëkohor dhe demokratik. Për herë të parë kemi një KQZ, si një organ kushtetues dhe i pavarur nga qeveria. Për herë të parë u realizua regjistri kombëtar i votuesve, i cili është bërë në mënyrë transparente, nga pushteti vendor, forcat kryesore politike, nëpërmjet asistencës dhe monitorimit të faktorit ndërkombëtar. Për herë të parë po aplikohet karta e votuesit, si një element i rëndësishëm identifikues, që ndihmon transparencën e procesit zgjedhor. Po kështu për herë të parë harta elektorale e fushatës të çdo partie politike nuk ka kufizime territoriale, sepse shteti dhe forcat e rendit nuk përdoren më për të penguar asnjë forcë politike, por përkundrazi janë në shërbim të sigurimit të normalitetit të fushatës së tyre. Bashkësia ndërkombëtare dhe Miqtë e Shqipërisë, dëshirojnë një proces normal zgjedhor në Shqipëri, si kryeministër duke bashkëpunuar ngushtë me ta, unë dhe qeveria ime i sigurojmë se i tillë do të jetë procesi zgjedhor në Shqipëri”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme