Kryeministri Majko konferencë – (2 Tetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Shqipëria përfillet si një aktor i dorës së parë në vendimarrjet ndërkombëtare. Kështu ka deklaruar Kryeministri Majko i cili ka radhitur disa nga pikat kulmore të qeverisjes, që nga 2 Tetori i një viti më parë e deri më sot. Majko ka nënvizuar kapërcimin e krizës së Kosovës, përballimin e fluksit të refugjatëve si dhe forcimin e partneritetit me NATO-n. I sapo kthyer nga SHBA, Majko është shprehur dhe konfirmimin e plotë amerikan për mbështetjen e qeverisjes në Shqipëri.
Qeveria Shqiptare, vijoi Majko, e ka futur vendin në procesin e privatizimit dhe po trokasin investitorët nga më gjigandët e ekonomisë dhe biznesit ndërkombetarë. Pas Kuvendit të PD dhe në prag të Kongresit të PS ku Majko do të konkurojë me Fatos Nanon për postin e kryetarit të partisë, ai u shpreh si Kryeministër.
Kryeministri Pandeli Majko:- “Më lejoni që të shpreh shqetësimin tim të thellë, për simptomat e krizës që ka përfshirë partitë politike shqiptare të ndodhura në një proces të gjerë reflektimi e ndryshimi, duke i konsideruar partitë politike si linja komunikimi institucional midis qeverisjes dhe interesave të drejtpërdrejta të qytetarit, vërej me shqetësim deformime të këtyre linjave. Formësimin e klasës politike shqiptare një proces ende i pa përkryer. Zëvendësimi i procesit të zgjedhjes normale të lidershipit të partive politike me procesin e emërimit apo emërtimit të këtij lidershipi rrezikon lojën normale politike dhe shkon në drejtim të shtimit artificial të tensioneve politike në vend”.
Majko i pyetur rreth fitores së mundshme të Nanos dhe qëndrimit që ai do mbajë pas kësaj, Majko tha se këtë do ta bëjë publike brenda institucioneve të PS. Gjithsesi tha Majko kjo qeverisje është e gatshme t’i ofrojë këtij vendi stabilitet dhe partneritet me faktorët ndërkombetarë.
Kryeministri Pandeli Majko:- “Qeveria Shqiptare shpreh vendosmërinë e saj të plotë për përballimin e këtyre sfidave dhe mungesën e çdo alternative tjetër që do të synonte shmangien nga një sfidë e tillë. Si kryeministër i qeverisë shqiptare ju ftoj të reflektojmë të gjithë si dhe tju siguroj për faktin se sot është më mirë se dje nesër do të jetë më mirë se sot”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego