Kryeministri Majko në Maminas – (24 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Majko ju ka premtuar sot fshatarëve të Maminasit në prag të Kongresit të 3 të PS, ujë, drita e traktorë. I shoqëruar nga ministrat Shuli, Xhuveli e disa deputetë Majko ka zhvilluar një takim në komunën e Maminasit. Pasi kryetari i Komunës ka raportuar për situatën e qeverisjes vendore, Majko tha se puna e bërë në këtë Komunë, e vë Qeverinë përpara një detyrimi të madh.
Kryeministri Pandeli Majko:- “Ju i jeni bërë ndihmë qeverisjes suaj këtu por çdo qeverisje do ta kishte për nder të bashkëpunonte me ju, që quhet Komunë, por mban erë qytetërim. Dhe mënyra se si i keni organizuar ju punën tuaj si komunë, vërtet mund të thuhet se në disa momente i kalon dhe nivelet se si i kanë raportet disa bashki”.
Pas shqetësimeve të ngritura nga vendasit Majko premtoi realizimin e një projekti për ujin e pijshëm, ndërtimin e një nënstacioni për energjinë elektrike si dhe traktorë falas nga një grant japonez që priten të vijnë së shpejti. Më pas Majko ka vizituar Postën e Re të Policisë së Manzës që është ndërtuar me financimet e një individi privat banor i fshatit.
Udhëtimi ka vazhduar më tej ku është inaguruar projekti i rrugëve rurale, konkretisht asfaltimi i rrugës Fashkone-Fushë Draç. Stacioni i fundit i turit të fundit të kryeministrit ishte Gjiri i Lalzit. Do të ofrojmë një situatë tjetër për gjithë zonën, tha Majko, duke falenderuar firmën Makalbania për këtë sipermarrje. Kampingu turistik është parashikuar të përfundojë për 3 vjet, me një kapacitet prej 800 pushuesish. Majko ka vendosur tullën e parë të këtij investimi. Kështu ka përfunduar udhëtimi i kryeministrit në këtë zonë duke lënë pas premtimet dhe banorët që presin realizimin e tyre./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego