Kryeministri Majko në Tropojë – (14 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ka zgjedhur Tropojën për të rrëfyer 14 Shtatorin e një viti më parë kryeministri Majko. I shoqëruar nga ministrat Poçi, Shuli, Rrapi e Demeti. Majko ka folur para pushtetarëve lokal se Tropoja nga një oaz i krimit dhe vetëgjyqësisë, nga një xhep i harruar i vendit do të kthehet në një zonë të zhvilluar ku në kufi të lëvizin lirshëm njerëz, mallra e kapitale. Shteti dhe ligji kanë ardhur në Tropoj për të sjellë jetën normale tha Majko, ndaj të mos guxoj askush të hyjë në gjak me shtetin.
Kryeministri Pandeli Majko:- “Para më pak se një viti kur mora mandatin për të drejtuar qeverinë shqiptare, zyra në të cilën hyra mbante ende shenjat e plumbave. Në zyrën time mund të gjeja shenjat e vandalizmit, të gjitha institucionet e shtetit ishin të përdhunuara nga ky vandalizëm. Për të qenë i sinqert mund tju them se kishte shumë pak arsye për të qenë optimist ato ditë në Tiranë. Një nga veprimet e para që bëra në zyrën time ishte të betohesha se nuk do të dilja kur nga ajo zyrë i detyruar nga dhuna. Dua tju garantoj në emër të qeverisë shqiptare se nga pozitat e antiligjit nuk mund të bëhet politikë. Se politikë nuk do të thotë batare kallashnikovësh, se kallashnikovët nuk mund të bëjnë opozitë dhe se nuk mund të ketë opozitë me ligjin. Të gjitha qeverisjet janë të përkohshme, biles edhe ligjvënësit janë të përkohshëm, por i përjetshëm është ligji. Politika e rrugës të çon vetëm në rrugë pa krye dhe këtë ne shqiptarët tani e kemi provuar disa herë. Ne shqiptarët përfundimisht kemi dëshmuar se së bashku dimë të punojmë, dimë të luftojmë dhe dimë të punojmë. Të armiqësuar me njëri-tjetrin kemi dalë gjithmonë të humbur”.
Për Majkon organi i akuzës ka arsye serioze ti quaj ato ngjarje të 14 Shtatorit grusht shteti. Është momenti të arrijmë mirkuptimin me njëri-tjetrin përfundoi kryeministri Majko. Kanë vijuar më pasë diskutimet mbi problemet e Tropojës, projektet qeveritare për riparimin e rrugëve, furnizimin me ujë, drita dhe lidhje telefonike./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame