Kryeministri Majko për rrugën Tiranë – Prishtinë – (23 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Rruga Tiranë – Prishtinë është shpallur sot në një mesazh të kryeministrit Majko si sfida gjigande e radhës për ringjalljen e kombit shqiptar, pas çlirimit të Kosovës.
Kryeministri Pandeli Majko:- “Kërkoj të bëjë publik, e të përcjell një mesazh për gjithë Kombin Shqiptar. Një mesazh për domosdoshmërinë e komunikimit por tashmë në një kuptim edhe më të gjerë. Komunikimin e dy prej poleve të faktorit shqiptar në Ballkan, Tiranës dhe Prishtinës. Qeveria Shqiptare ka vendosur, në prioritetet e saj strategjike ndërtimin e rrugës që do të lidh Tiranën e Prishtinën, rrugën që do të afroj dy prej faktorëve shqiptar në Ballkan, të afroj Prishtinën me detin e Durrësit, rrugën ku do të qarkullojnë më shpejt mallrat, njerëzit, kapitali, kultura, idetë. Rrugën ku do të kryehet trafiku i ndërsjelltë e pozitiv i influencës midis Tiranës dhe Prishtinës”.
Pikërisht ky Korridor, që do të lidh Durrësin me Qafë Morinën dhe vazhdon drejt Prshtinës, do të jetë ura krryesore e bashkimit defakto mes Shqipërisë dhe Kosovës. Majko pasi është shprehur se po bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur financimet e nevojshme ka kërkuar edhe ndihmën e vetë shqiptarëve.
Kryeministri Pandeli Majko:- “Me cilësinë e kryeministrit dhe nën përgjegjësinë e kryeministrit, kamë kërkuar hapjen e një llogarie bankare ku gjithkush që i thotë bukës – bukë dhe ujit – ujë, të ofroj kontributin e tij financiar. Me cilësinë e kryeministrit dhe nën përgjegjësinë e kryeministrit, ju ftoj të jepni këtë kontribut, që do të shndërrohet në rrugë e të mundësoni ndërtimin e kësaj rruge të jetës që do të lidh Prishtinën me Tiranën”.
Kryeministri shqiptar ka nënvizuar domosdoshmërinë edhe të ndihmës nga partnerët ndërkombëtar. Por fillimisht u shpreh ai, ne duhet të dëshmojmë se dimë të ndihmojmë vetëveten. Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi për ju, por pyesni çfarë mund të bëni ju për vendin. Duke cituar këtë shprehje të njohur të ish-presidentit amerikan Kenedi, Majko u shpreh se kurrë më parë këto fjalë nuk kanë patur kuptim më të qartë se sa sot për ne shqiptarët./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego