Kryeministri Majko takim me Ambasadorët (28 Gusht 1999)
Majko kërkon zbatimin e një strategjie të qartë afatgjatë për politikën mbarëshqiptare në Ballkan. Majko i ka parashtruar sot drejtuesve të diplomacisë shqiptare synimet e Qeverisë në politikën e ardhshme tashmë e ndodhur përballë një realiteti të ri. Qeveria Shqiptare tha Majko konsideron se tashmë në Ballkan po shënohen balanca të reja favorizuese për faktorin shqiptar dhe se do të ketë riorganizim të interesave tona në Rajon.
“ Të nderuar zotërinj ambasadorë,në shërbim të demokratizimit dhe konsolidimit të shoqërisë civile, ne shpresojmë se është e domosdoshme të garantohet si një përmasë parësore e Ballkanit të ri komunikimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve. Për të realizuar këtë synim Ministria e Punëve të Jashme si dhe ministri të tjera përgjegjëse duhet të punojnë me pragmatizëm që të shqyrtohet mundësia e lëvizjes dhe të vizave brenda rajonit deri në heqjen e plotë të tyre mbi bazën e parimit të reciproritetit”
Majko ka theksuar domosdoshmërinë e pranisë se NATO-s në Rajon pasi kjo do të gjenerojë stabilitet dhe garanci për zhvillimin e Rajonit. Zgjerimin e NATO-s drejt Rajonit tonë, tha ai, ne e konsiderojmë si zgjerim të zonës së sigurtë dhe reduktim të zonave gri nga ku është gjeneruar dhe mund të gjenerojë rishtaz konflikti.
Në përfundim duke kërkuar shfrytëzimin maksimal të hapësirave që krijohen për rritjen e komunikimit Majko tha:
“Me lejoni dhe njëherë që në cilësinë e kryeminstrit të rikonfirmoj përgjegjësitë tuaja të shumëfishurara në këtë kohë të rajonit tonë për Shqipërinë në veçanti. Qeveria shqiptare kërkon nga ju rikonceptimin e praktikave të punës suaj, zhvillim cilësor të saj për të dëshmuar gadishmërinë tonë kolektive dhe individuale për të përqafuar mundësitë e reja në rajon dhe zhvillimet pozitive të tyre. Në rolin e zëdhënësve të pikëpamjes së qeverisë shqiptare ju zotërinj ambasadorë, do të bëni dhe duhet të bëni sigurisht shumë më shumë.”
Gazetare: Ornela Bego