Kryeministri Majko vizitë tek ushtarët e NATO-s në Rinas (23 Qershor 1999)
NATO do të qëndrojë për shumë kohë në Shqipëri jo vetëm për garantimin e sovranitetit, por edhe për rindërtimin e rrugëve, aeroporteve dhe sistemeve ndërlidhëse. Kryeministri Majko ka inspektuar sot 7500 trupat ushtarake të NATO-s e në veçanti ato amerikane të vendosura në Aeroportin e Rinasit.
Një pjesë e helikopterëve antitanke apash dhe e ushtarëve janë larguar në drejtim të Maqedonisë e më pas në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër e ushtarëve dhe mjeteve të transportit po ndihmojnë në transportimin e refugjatëve drejt Kosovës. NATO ka marrë përsipër rikonstruktimin e Aeroportit të Rinasit, ndërtimin e rrugëve, ku ajo Durrës-Kukës mbetet prioriteti kryesor i saj.
Duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Majko u shpreh se nuk do të ndalej para kukuvajkave të majta e të djathta të politikës shqiptare. Pas inspektimit të trupave ushtarake të NATO-s, Kryeministri Majko është nisur për në Argjentinë për të përfaqësuar Partinë Socialiste në Kongresin e Internacionales./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame