Kryeministri Meta inaguron fillimin e punimeve për rrugën Vlorë-Sarandë – (4 Nëntor 2000)


Kryeministri Meta inaguron fillimin e punimeve për rrugën Vlorë-Sarandë – (4 Nëntor 2000)

15:52 04/11/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Pas 86 vjetësh, një qeveri hedh sytë nga rrugët e jugut të Shqipërisë. Sot ka nisur rehabilitimi dhe zgjerimi i rrugës së bregut, nga Vlora deri në Sarandë, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Meta. Gjatë fushatës elektorale kryeministri deklaroi në Himarë, se qeveria nuk premton, por betohet për të rehabilituar rrugën e jugut. Punimet kanë filluar nga aksi Qafë Llogora-Palasë, pjesa më e vështirë e rrugës Vlorë-Sarandë.

Kështu rreth 155 forca xheniere, do të punojnë në këtë aks rreth 13 kilometra të gjatë. Vetë kryeministri ka falënderuar forcat e ushtrisë për këtë punë të madhe, që kanë marrë përsipër të realizojnë brenda muajit Prill 2001.

Kryeministri Ilir Meta:- “Qeveria ka vendosur që rikonstruksioni i rrugës, nga Vlora deri në Sarandë, do të jetë një prioritet i shpejtë, me qëllim që kjo zonë sidomos përsa i takon turizmit, e kërkon akoma më shumë këtë”.

Më pas kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Ilir Gjoni, kanë dhënë komandën për shpërthimin e parë, që simbolizon edhe fillimin e rehabilitimit të një prej rrugëve më të rëndësishme të vendit, të harruar prej vitesh./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme