Kryeministri Meta: Jemi në hapat e duhur për integrimin në BE (18 Dhjetor 2000)


Kryeministri Meta: Jemi në hapat e duhur për integrimin në BE (18 Dhjetor 2000)

15:10 18/12/2000

Qeveria Shqiptare pretendon se ka bërë hapat e duhur për t’u afruar me Europën. Janë privatizuar mjaft ndërmarrje, është rritur prodhimi dhe ka rënë deficiti. Kryeministri Shqiptar Meta vëren se qeveria shqiptare ka bërë reforma në administratë publike dhe kontrollin e saj. Njëkohësisht është duke përshpejtuar reformat e decentralizimit. Kryeministri Meta për arritjet e deritanishme që do të na integrojnë në Europë, thotë:

“Janë të lexueshme tashmë rezultatet që po arrijmë për përmirësimin e infrastrukturës. Vetëm në 7-8 muaj kemi shtruar dhe rehabilituar rrugë që nuk janë bërë në disa vite. Brenda vitit të ardhshëm parashikohen të bëhen segmente të rëndësishme si autostrada Tiranë-Durrës, superstrada Durrës-Rrogozhinë-Lushnje, Librazhd-Qukës, të cilat janë shumë të rëndësishme për të ndryshuar infrastrukturën ekzistuese të vendit. Po punojmë për ndërtimin e një terminali të ri aeroportual. Porti i Durrës po zgjerohet dhe po përfshihet dhe në Paktin e Stabilitetit për t’i shërbyer kërkesave jo vetëm të sotme, por dhe të ardhshme të Korridorit 8. Investimet e bëra publike dhe private që priten këtë vit në telekomunikacion do t’a rrisin akoma më tej shërbimin e komunikimit.”/tvklan.al






Të ngjashme