Kryeministri Meta në Kavajë përuron nënstacionin e ri elektrik (2 Mars 2001)
Kryeministri Meta dhe ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit Mustafa Muçi, kanë marrë pjesë sot në përurimin e nënstacionit elektrik të Kavajës i cili pritet të furnizojë ndjeshëm, furnizimin me energji të kësaj zone. Kryeministri tha se këtej e tutje qytetarët e Kavajës nuk do të kenë kufizime energjie. Sipas tij së shpejti do të ketë dhe investime të tjera po kaq të rëndësishme. Rikonstruksion i këtij stacioni përfshin instalimin e një transformatori që do të bëjë të mundur shtimin e kapacitetit me 60%.
Për këtë janë investuar 80 mijë dollarë nga qeveria norvegjeze dhe 5 milionë lekë nga KESH. Objekti është ndërtuar dhe vënë në funksionim brenda 5 muajve nga nënshkrimi i kontratës me firmën norvegjeze. Më pas Kryeministri Meta ka zhvilluar takime me Bashkinë e Kavajës dhe në Dhomën e Tregtisë. Një problem i madh në qytetij tuaj tha Meta është ai i furnizimit me ujë të pijshëm megjithëse janë bërë shumë investime në këtë drejtim.
Kryetari i Bashkisë Islam Veliu, por dhe biznesmenët e këtij qyteti, kërkuan mbështetjen e qeverisë për rindërtimin e unazës së Kavajës, ndryshimin e vendit të postit të policisë dhe ndërhyrjen për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike. Meta u kërkoi drejtuesve të bashkisë që të përfundonin brenda muajit ndërtimin e unazës dhe premtoi financimin e menjëhershëm nga ana e qeverisë./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego