Kryeministri Meta në Mallakastër, industria e naftës prioritet i qeverisë – (26 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kryeministri Meta, ka marrë pjesë sot në konferencën e zhvillimit rajonal të Mallakastrës. Qeveria, tha ai, do të angazhohet për realizimin e objektivave të kësaj zone, ku dialogu Mallakastër – Qeveri, do të funksionojë shumë herë më mirë se më parë. Kryeministri ka nënvizuar se një nga arsyet e ecjes së ngadalshme është veprimi në raste emergjencash, e tranzicioni që ka kaluar vendi. Duke nënvizuar prioritetet që do t’i jepen kësaj zone, Meta u ndal tek industria e naftës.
Kryeministri Ilir Meta:- “Industria e nxjerrjes së naftës është dega bazë e zhvillimit dhe unë mendoj se pavarësisht se ka një lloj pesimizmi, për shkak të teknologjisë që vjen duke u vjetëruar, për shkak të amortizimit që vjen duke u rritur. Mendoj se me një angazhim më të madh, me një nxitje edhe të investitorëve të huaj në këtë sektor, do të jetë e mundur dhe me një ristrukturim të vetë sistemit të industrisë, së naftës në përgjithësi, do të jetë e mundur që këto vështirësi të tejkalohen dhe kjo degë të vazhdojë të jetë një degë me perspektivë”.
Meqenëse Ballshi është një nga zonat më të ndotura në vend, Meta premtoi se të gjitha këto efekte do të përballohen me projekte për mbrojtjen e mjedisit. Më pas kryeministri ka vizituar ndërmarrjen e përpunimit të thellë të naftës. Këto ditë ka përfunduar edhe impianti i përpunimit të azotit, i cili vë në punë prodhimin e benzinës me numër më të lartë oktani./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego