Kryeministri Meta në Peqin, nis turin elektoral për balotazh – (7 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Turi elektoral për balotazh, ka nisur nga qyteti i Peqinit. Ka qenë kryeministri Meta, ai që ka hapur turin për të komunikuar me banorët e Peqinit. Erdha këtu, është shprehur kryeministri Meta, t’iu them se zgjedhjet e 1 Tetorit janë zgjedhjet më të lira e demokratike. Komuniteti ndërkombëtar i ka vlerësuar këto zgjedhje, si tregues i Shqipërisë, e cila po ecën në rrugën demokratike. Kërkesa për bojkot të balotazhit nga PD, nuk mund të pranohen.
Kryeministri Ilir Meta:- “Jam këtu, që t’iu them se premtimi që unë iu dhashë si kryeministër në emër të qeverisë të gjithë shqiptarëve, se në 1 Tetor s’do të ndodhte asnjë gjë, u mbajt dhe po kështu dua t’ju sigurojë, se në këtë mënyrë ne na jepet një mundësi e madhe, që gjithë atë punë të madhe që kemi nisur, kemi arritur të krijojmë besimin e duhur në aftësitë qeverisëse të PS”.
Punë të mëdha na presin tani, që kemi pushtetin lokal dhe atë qendror është shprehur kryeministri Meta. Më pas ai ka ftuar popullin e Peqinit, që në balotazh të bashkohet me Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin. Duke qenë pjesë e Korridorit 8, Meta premtoi se autostrada do të përfundojë sa më shpejtë. Brenda 6 mujorit Peqini do të ketë unazën e re. Votoni për kandidatin socialist, ai do të ndryshojë infrastrukturën e qytetit tuaj. Më pas kryeministri Meta ka shkuar në Përrenjas./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti