Kryeministri Meta në policinë e Vlorës, lufta kundër trafikut të klandestinëve – (4 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Vlora një nga bazat kryesore të trafikut klandestinë në Shqipëri, do të jetë së shpejti vendi ku do të gjejë zbatim ligji anti gomone i miratuar së fundi nga parlamenti. Në drejtorinë e policisë së Vlorës, ka ndaluar sot kryeministri Meta, i cili deklaroi, se ditët e ardhshme do të fillojë një aksion i madh për eliminimin e udhëtimeve klandestine drejt Italisë.
Kryeministri Ilir Meta:- “Unë mendoj se kemi një rast që s’e kemi pasur asnjëherë në dorë. Tani ky është një ligj që i jep hapësirë, shumë më të madhe, të plotë të forcës goditëse të policisë. Këto lloj trafiqesh, veçanërisht trafikun e klandestinëve, i cili është një trafik ndërkombëtar, që kanë përgjegjësi edhe shumë vende të rajonit”.
Drejtoria e Policisë së Vlorës, ka qenë vazhdimisht preokupimi i qeverisë. Kjo drejtori po merr masat për të qenë në gatishmëri të plotë për fillimin e këtij super aksioni. Jo më larg se dje forcat e policisë së Vlorës, kanë ndaluar 200 kurdë që vinin nga Greqia, me synim për të lundruar drejt Italisë./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego