Kryeministri Meta në Qeveri (28 Nëntor 1999)


Kryeministri Meta në Qeveri (28 Nëntor 1999)

15:11 28/11/1999

Kryeministri Ilir Meta ka kërkuar sot gjatë një mbledhje urgjente të Qeverisë zhgradimin e Gjeneralit Cikalleshi, njeriut që dje ka akuzuar Ministrin Hajdaraga për përfshirje në korrupsion nëpërmjet tenderave. Meta i ka kërkuar Krye Prokurorit Rakipi vazhdimin e hetimeve në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe të shqyrtojë qëndrimet e ndonjë prokurori që së bashku me një gjeneral që ai e quajti bashibozuk kanë marrë kompetencat e Gjykatës.

“Zoti Hajdaraga, kërkoj urgjent nga ju si ministër i Mbrojtjes, që ti kërkoni Presidentit të Republikës, zhgradimin të këtij gjenerali nga strukturat e ushtrisë shqiptare. Dhe jo vetëm kaq, po ti vini në dispozicion gjithë këtp dëme që i ka shkaktuar shteti, ky ish gjeneral tashmë gjatë kohës që ai ka qënënë funksion, dhe të komunikoni me Prokurorinë duke qënë se dhe ajo ka shprehur vullnetin për ta luftuar korrupsionin që tashmë është kaq evident dhe i provuar. “

Nuk mund të toleroj me faktin që një Ministër të goditet në shtyp, tha Meta, ndërkohë që unë i kam kërkuar Prokurorisë shqyrtimin e dosjeve të gjithë Ministrave. Meta jo vetëm ka mbrojtur por dhe ka kritikuar anëtarët e kabinetit.

” Zoti Poçi, ju tërheq vëmendjen që një vartës i juaj ka marrë guximin të bëjë konferencë shtypi në një nga institucionet lokale të Ministrisë së Rendit kundër jush, kundër disiplinës dhe rregullit në administratë dhe në forcat e rendit prandaj kërkoj largimin e tij të menjëhershëm nga strukturat e rendit publik dhe do të largoj çdo ministër që nuk është në gjendje të vendosë rregull në administratën e tij”.

Kryeministri ka kërkuar që Ministrat të mos krijojnë konflikte me institucionet dhe këto të fundit të mos godasin ministrat pa fakte. Meta më tej ka kërkuar që Prokuroria të bëjë mirë punën e saj edhe duke vazhduar hetimet në Ministrinë e Mbrojtjes. Por, vijoi ai, duke u zhveshur nga inatet dhe sulmet personale./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme