Kryeministri Meta premton investime në rrethin e Rrëshenit – (7 Prill 2001)


Kryeministri Meta premton investime në rrethin e Rrëshenit – (7 Prill 2001)

20:04 07/04/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryeministri Meta ka vizituar sot rrethin e Rrëshenit, për t’u njohur me problemet atje. Drejtuesit lokal në takimin me kryeministrin, kanë parashtruar dhe gjendjen në këtë rreth, ku krahas investimeve të shumta bërë gjatë këtij viti, papunësia është tepër e madhe dhe të ardhurat familjare të ulëta. Sipas tyre ka probleme me disa rrugë rurale, nuk ka shtëpi kulture në Rubik etj.

Kryeministri Meta theksoi, se shumë shpejt do të fillojë punën përpunimi i bakrit, i cili i është dhënë me koncension një firmë turke. Ndërsa për rrugët ai tha, se qeveria ka prioritet të saj ndryshimin e infrastrukturës së veriut.  

Kryeministri Ilir Meta:- “Problemet e Shkodrës, problemet edhe të Mirditës, problemet edhe të Malësisë së Madhe edhe të Kukësit edhe të Tropojës etj, në radhë të parë do të zgjidhen duke përmirësuar komunikimin, me rrugët, telefoninë edhe shërbimet e tjera, sepse asnjë investitor as vendas as i huaj, në këto kushte nuk mund të marrë përsipër të bëjë investime prodhuese siç kërkoni edhe ju”.

Më tej Meta premtoi më shumë investime në rrugën nga Rrësheni në Fushë-Arrëz. Më pas kryeministri Meta, ka marrë pjesë në përurimin e shkollës së re, kopshtit dhe ambulancës së fshatit Kodër Rubik, investim i shoqatës Shqipëri-Austri. Meta ka vizituar dhe Telekomin, në të cilin është shtuar dhe një central i ri digjital me dy mijë numra për qytetin, si dhe sistem radio-rele, për pesë komuna. Inagurimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës Rrëshen-Kaçaraj-Sheshaj, kanë mbyllur vizitën e kryeministrit Meta në Rrëshen./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme