Kryeministri Meta pret shiritin për ndërtimin e spitalit të ri në Durrës – (26 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryeministri Meta ka prerë shiritin e punimeve për ndërtimin e spitalit të ri të Durrësit. Meta deklaroi se tashmë spitali i Durrësit nuk është më një legjendë e përfolur por një realitet. Spitali i ri me një sipërfaqe të përgjithshme prej gati 8 mijë metra katror, do të ndërtohet nga firma turke Tepe.
Kjo firmë ka mbyllur me sukses punimet gjatë këtij muaji në spitalet e Shkodrës dhe të Vlorës. Investimi i përgjithshëm për ndërtimin e spitalit të Durrësit, llogaritet 9 milion dollarë, financime këto të ofruara nga OPEC dhe Banka Islamike. Kryeministri Meta më pas ka vizituar repartin e Pediatrisë, të rikonstruktuar tërësisht me fondet e qeverisë shqiptare.
Kryeministri Meta, ka prezantuar kandidatin socialist për në një nga zonat më të varfra të Durrësit, e quajtur ish-këneta. Meta u premtoi të ardhurve të rinj në qytet se pronat dhe gjakun tuaj, do t’i gëzoni. Qeveria do ta bëjë këtë zonë Durrësin e ri në saj të investimeve vendase dhe të huaja./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame