Kryeministri Meta takim me shqiptarët e Maqedonisë – (11 Mars 2001)


Kryeministri Meta takim me shqiptarët e Maqedonisë – (11 Mars 2001)

14:42 11/03/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryeministri Ilir Meta ka mbledhur në zyrën e tij, drejtuesit e partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë, Arbër Xhaferri, Abdurraman Haliti dhe Ymer Ymeraj. Meta i ka cilësuar shqiptarët në Maqedoni, faktorë të rëndësishëm, për stabilitetin dhe demokratizimin e kësaj republike.

Kryeministri shqiptar kërkoi nga qeveria maqedonase, të respektojë të drejtat e shqiptarëve, ndërsa problemet të zgjidhen me dialog. Pas takimit kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve të Maqedonisë Arbër Xhaferri u shpreh për TV Klan.

Arbër Xhaferri, Kryetar i PPDSH:- “Situata natyrisht që është e nderë dhe pleksur me dilema dhe rreziqe të mëdha. Ne përpiqemi që t’i japim një hapësirë paqes, opsioneve racionale dhe me këto motive kemi ardhur këtu, të bisedojmë me përfaqësues të shtetit shqiptar, për të krijuar një unazë demokratike rreth opsioneve radikale”.

Gazetari:- Si do t’i gjykoni ju, propozimet që ka bërë grupi i armatosur në Maqedoni?

Arbër Xhaferri, Kryetar i PPDSH:- “Kërkesat politike, nuk kanë të bëjnë me imagjinatën. Realizimi i këtyre kërkesave është i vështirë ngaqë hynë në interesa globale rajonale dhe mund të jenë konfliktuale. Kërkesa jonë është së pari, që të mos perceptohet Kosova, si burim i krizës në Maqedoni. Kërkesa jonë është që të realizohet shkencërisht burimi i radikalizmave në Maqedoni dhe gjithashtu me pas vjen kërkesa që kufiri nuk duhet të mbyllet”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme