Kryeministri Meta vizitë në komunën Bubq (8 Gusht 2000)


Kryeministri Meta vizitë në komunën Bubq (8 Gusht 2000)

14:16 08/08/2000

Kryeministri Meta ka shkuar sot në komunën e Bubqit në Krujë ku ka prerë dy shirita, atë të ujësjellësit dhe rrugës së re. Kryetari i komunës së Bubqit ka kërkuar ngritjen e dy shkollave të reja si dhe rehabilitimin e ujitjes nga Ministria e Bujqësisë. Për të gjitha këto tha ai, projektet i kemi gati. Kryeministri premtoi se do të përpiqet që të gjitha problemet të zgjidhen sa më shpejt. Kështu 7500 banorët e kësaj komune do të kenë ujë të bollshëm në shtëpi edhe për ujitje.

Gjithashtu nëpërmjet rrugës së re prej 14 kilometrash, do të shtojnë lidhjet me zonat përreth. Më tej kryeministri ka vazhduar turin e tij në këtë zonë me një vizitë në fondacionin “Betania” i cili kujdeset për fëmijët jetimë e veçanërisht për ato të policëve të vrarë. Në këtë qendër jetojnë 26 fëmijë të cilët kanë ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Përpara kryeministrit, presidentja e këtij fondacioni ka bërë publik vendimin e saj për të dhënë pension të përhershëm dy fëmijëve të Kolonel Arben Zylyftarit, vrarë disa ditë më parë në Shkodër.

Ky fondacion tha kryeministri, por dhe të tjerë të këtij lloji që u lehtësojnë dhimbjen njerëzve dhe veçanërisht fëmijëve, do të kenë vazhdimisht mbështetjen e qeverisë. Fëmijët që jetojnë në këtë qendër kanë improvizuar një koncert të shkurtër për të përshëndetur kryeministrin./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme