Kryeministri Meta viziton Librazhdin dhe investimet në këtë rreth – (6 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kryeministri Ilir Meta vizitoi sot paradite Librazhdin, për t’u njohur nga afër me problemin dhe mundësitë për investime në këtë zonë. Kryeministri vizitoi fillimisht bashkinë e Librazhdit, ku kryebashkiaku Zharri, e njohu me jetën sociale dhe ekonomike të dhjetë mijë banorëve të qytetit.
Sipas krybashkiakut Zharri, gjatë katër viteve në bashkinë e Librazhdit janë rikonstruktuar 21 rrugë, janë ndërtuar 8 vepra arti, 9 ujësjellësa, 18 qendra shëndetësore etj. Kryebashkiaku kërkoi një vëmendje më të madhe për këtë qytet, pasi për vitin 2001, investimet e programuara janë ulur 50%.
Kryeministri Ilir Meta u shpreh, se vërtetë investimet e drejtpërdrejta mund të jenë ulur, por janë rritur disa herë investimet e përmasave ndërkombëtare, siç është Korridori 8. Fakti se ju jeni pjesë e këtij korridori tregon se integrimi juaj është i sigurt, u shpreh Meta.
Më pas kryeministri vizitoi komunën e Hotolishtit, ku pa nga afër punimet e kryera nga firma maqedonase Mavrovo. Drejtori i firmës Mavrovo, Vladimir Ivanovski, i premtoi kryeministrit se punimet në segmentin e Korridorit 8, do të përfundojnë në Qershor të këtij viti. Në këtë komunë kryeministri Meta preu dhe shiritin e rikonstruksionit të shkollës “Mahmud Çeta”. Vizita e kryeministrit Meta vazhdoi më tej edhe me një takim në bashkinë e Përrenjasit./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj