Kryeministri Rama në forumin strategjik të Bled
Kryeministri Rama ka kritikuar vendet e Bashkimit Europian që refuzuan të përballeshin me krizën e emigrantëve. I ftuar si panelist në Forumit Strategjik të Bled -it, sëbashku me Presidentin e Sllovenisë, Kroacisë dhe Kryetarin e Senatit të Kanadasë, Kryeministri shqiptar kërkoi më shumë bashkëpunim mes vende të rajonit për të zgjidhur çështje që kanë lidhje me sfidat globale, pasi shumë prej tyre, sipas tij, patën një qasje shumë më europiane se vetë vendet e BE, që edhe pse jo të pasura nuk i ngritën mure refugjatëve të luftes.
“Reforma e Bashkimit Europian është absolutisht e nevojshme, por kur dhe si mund ta bëjmë këtë reformë në këto kushte. Kushte kur kemi parë në mes të krizës së refugjatëve, vende si Serbia dhe Maqedonia, që nuk janë vende anëtare të BE-së, por që aspirojnë të bëhën, u sollën shumë më mirë dhe në mënyrë shumë më europiane sesa disa vende shumë më të pasura europiane. Ku janë vlerat europiane këtu?”
Zërat për braktisjen e projektit europian, Kryeministri i cilësoi si mungesë vizioni mbi botën e sotme.
“Brenda BE-së ka akoma një problem shumë të madh në lidhje me koordinimin e inteligjencës. Imagjinoni tani, nëse gjithsecili do të shkojë për hesap të vet, në një botë ku ka gjithnjë e më shumë nevojë për koordinim, si do shkojnë punët përsa i përket sigurisë. Këta njerëz që thonë “ta lëmë Europën, të shkojmë në kështjellën tonë dhe të mbrohemi nga barbarët”, ata nuk e kanë aspak idenë sesi do e zhvillojnë ekonominë në kështjellën e tyre.
Duke ironizuar ‘Brexit’, Rama tha se Shqipëria beson tek Bashkimi Europian dhe nuk ka nevojë për referendum për t’iu bashkuar BE-së.
“Është si të bësh një referendum në lidhje me faktin nëse duam të jetojmë në histori, apo të dalim nga historia.”
Tv Klan