“Kryemjeku”, kritika Presidentit
Shtëpia e Bardhë: Fauci, politikë me virusin një ditë para zgjedhjeve
Shtëpia e Bardhë ka akuzuar ekspertin kryesor të sëmundjeve infektive, Anthony Fauci, se po luan një politikë të gabuar në lidhje me pandeminë e Covid-19, vetëm një ditë para zgjedhjeve presidenciale.
Fauci e ka kritikuar mënyrën sesi presidenti amerikan Donald Trump po e menaxhon situatën ndaj virusit. Teksa e gjithë Europa po rimbyllet për shkak të rritjes së rasteve, eksperti thekson se Amerika do të përjetojë një dimër shumë të vështirë dhe sistemi shëndetësor mund të kalojë në kolaps. Gjatë intervistës për Washington Post, Fauci u shpreh se tani më shumë se kurrë duhet të merren masa më të ashpra se 8 muaj më parë.
Kur u pyet për qasjet e dy kandidatëve presidencialë, ai deklaroi se Biden po e merr shumë seriozisht situatën ndaj pandemisë, ndërsa Trump nuk po ndërmerr asnjë gjë. Ai tha se SHBA ka nevojë për të bërë një ndryshim të menjëhershëm në praktikat dhe sjelljet e shëndetit publik.
Koronavirusi ka qenë një çështje qendrore në prag të zgjedhjeve presidenciale. Të dy rivalët janë përplasur me njëri-tjetrin për mënyrën e menaxhimit. Kandidati demokrat nuk ka përjashtuar bllokime në të gjithë SHBA-në nëse vjen në pushtet dhe është zotuar që ta lejojë shkencën që të ndërveprojë. Në një tubim në Goodyear, Arizona, Trump paralajmëroi se nëse rivali demokrat merr presidencën kjo do të shkaktonte depresion ekonomik për amerikanët.
Kritikat vijojnë në një kohë kur Amerika mban vendin e parë për infektimet dhe vdekjet në rang global. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins, vdekjet në SHBA tani kanë kaluar 236 mijë ndërsa 9.4 milionë janë të infektuar.
Klan Plus