Kryenegociatori i Shqipërisë për anëtarësimin në BE takohet me ministrin grek
Kryenegociatori i Shqipërisë për anëtarësimin në BE, Zef Mazi, është takuar këtë të mërkurë me Ministrin e Jashtëm Përplotësues të Republikës Greke, Zoti Varvitsiotis.
Mësohet se Mazi dhe Varvitsiotis zhvilluan konsultime për bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dy zyrtarët e lartë kanë diskutuar edhe për vendimin e KiE-s në Mars të këtij viti për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Duke e përshkruar atë si një vendim madhor, historik, për Shqipërinë, Kryenegociatori theksoi se Shqipëria vazhdon të përmbushë konkluzionet e Këshillit me përgjegjësi dhe vendosmëri edhe më të madhe për të dhënë rezultate. Ai shprehu shpresën dhe besimin se rezultatet e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit do të pasohen nga vendimi i BE-së për të bërë të mundur hedhjen e hapit të rradhës në rrugën e BE-së – mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në kohën më të shpejtë të mundshme”, thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Kryeministrisë lëshuar për mediat.
Mazi dhe Varvitsiotis kanë rënë dakord që të vijojnë kontaktet e ngushta për të vazhduar diskutimin mbi çështjet e lidhura me BE-në, përfshirë mbështetjen politike për Shqipërinë për të hedhur hapin tjetër të mëtejshëm në rrugën e BE-së, si dhe për të dhënë mbështetje teknike për negociatat e ardhshme./tvklan.al