Anastas Janullatos merr nënshtetësinë shqiptare
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vendosur t’i japë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Ai e kishte bërë kërkesën që në vitin 1992, por të gjithë presidentët e vendit e lanë mënjanë për 25 vite. Në një letër ku e njofton për vendimin e marrë, Meta shkruan se ai i ka shërbyer jo vetëm njohjes ndërkombëtare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por veçanërisht përhapjes përtej kufijve të Shqipërisë, të vlerave e pasurisë së harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare të popullit shqiptar. Meta thotë se Janullatos është vlerësuar me të drejtë “Qytetar Nderi” i Tiranës, Korçës dhe Durrësit dhe me urdhrin e lartë të Presidentit “Gjergj Kastriot Skënderbeu” për kontributin e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe forcimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës. Sipas Metës, Janullatos e ka mbajtur këtë besim dhe identitetin e tij larg influencave, tendencave dhe ndikimeve të huaja, të padobishme dhe të rrezikshme. Tv Klan