Kryeprokurori: Mungesa të theksuara në burime njerëzore


Kryeprokurori: Mungesa të theksuara në burime njerëzore

10:10 03/03/2020

“Ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë i plotë”

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u shpreh këtë të martë se organet e drejtësisë po vuajnë nga mungesa të burimeve njerëzore. Shkak për këtë sipas kryeprokurorit është procesi i Vettingut.

Gjatë një konference që u zhvillua mbi sfidat e prokurorisë, Çelaj tha se nuk dihet se kur sistemi i drejtësisë do të funksionojë me kapacitet të plotë.

“Edhe pse procesi i vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota”, tha Çela.

Sipas kreut të organit të akuzës, institucioni që ka pësuar ndryshime drastike nga reforma në drejtësi është prokuroria.

“Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve. Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon t’a ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë zbatimi i konceptit të pavarësisë është  sfida më e vështirë për t’u kapërcyer. Raportet e reja që ligji ka krijuar mes drejtuesve dhe prokurorëve kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues. Konfigurimi i ri kushtetues dhe ligjor e ka futur prokurorinë në një proces jo të lehtë të ripërcaktimit të tipareve identitare, ndërkohë që dinamikat në jetën e vendit zhvillohen me një ritëm të atillë që nuk tolerojnë dobësi strukturore apo organizative”, tha Çela./tvklan.al






Të ngjashme