Kryeqyteti do të pajiset me semaforë të rinj (20 Shkurt 2001)
5 kryqëzimet kryesore në kryeqytet do të pajisen me semaforë të rinj. Problemet me trafikun dhe amortizimi i mjeteve të sinjalistikës së automjeteve, bëri që Bashkia e Tiranës në këto kryqëzime të investojë 12 milionë lekë të reja që do të shpenzohen për blerjen, montimin dhe funksionimin e plotë të semaforëve.
Si kryqëzime kryesore janë zgjedhur rrugët ku trafiku është mëse i rënduar. Kështu do të jetë kryqëzimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku këta semaforë do të zëvendësohen me të rinj. Gjithashtu semafore të reja do të vendosen në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, në hyrje të Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit si edhe pas shkollës “Vasil Shanto”.
Një firmë italiane është përzgjedhur për montimin e semaforëve, ndërsa fondi që është çelur për blerjen e tyre është akorduar nga INSIG. Pjesa e sinjaleve elektronike të amortizuar që do të hiqen që këtej do të rregullohen për t’u montuar në disa nga kryqëzimet sekondare të kryeqytetit./tvklan.al