Kryeqytetit i shtohet një tjetër kënd lodrash


Kryeqytetit i shtohet një tjetër kënd lodrash

12:20 12/10/2016

Zonës së Alliasit në Njësinë Administrative nr. 4 në kryeqytet i është shtuar një hapësirë e re për fëmijët dhe të rinjtë, ku mund të kalojnë kohën e lirë.

Në vijim të mbajtjes së premtimit për të krijuar 12 kënde lojërash në çdo lagje të Tiranës, Bashkia e Tiranës përfundoi në kohë rekord këndin më të ri të lodrave në  sheshin “Shyqyri Peza”.

Punimet u inspektuan nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili teksa vlerësoi cilësinë e punimeve, theksoi se kjo hapësirë u shërben të gjitha moshave.

Më tej, ai shtoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur, krahas disa investimeve të tjera që bashkia ka bërë në këtë zonë.

Veliaj u shpreh gjithashtu i sigurt se përqendrimi i fokusit të punëve të bashkisë te çerdhet, kopshtet, shkollat dhe te këndet e lojërave është investimi më i mirë që i bëhet një qyteti dhe të ardhmes së tij.

Këndi i lojërave në Allias ka një sipërfaqe totale prej 1408 m2, nga të cilat 592 m² sipërfaqe e gjelbëruar, sipërfaqe e shtruar me rërë dhe e pajisur me lodra 218 m² dhe sipërfaqe e përdorur për kalim 164 m². Këndi është i pajisur me lojëra gjithëpërfshirëse, si dhe me një minifushë futbolli./tvklan.al






Të ngjashme