Kryetari i Bashkisë Durrës për të ardhurit kosovarë (13 Maj 1999)
Trefishimi i numrit të banorëve ka vështirësuar situatën në qytetin e Durrësit. I alarmuar është shprehur Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Arqile Gorea. Për herë të parë pas ardhjes së refugjatëve nga Kosova, Gorea ka dalë në një konferencë shtypi ku ka theksuar sforcimin e madh që po bën qyteti i tij duke pritur të ardhurit kosovare.
Ai tha se janë harxhuar rreth 6 milion lekë nga Bashkia për të menaxhuar situatën. Gorea tha se u janë dhënë ndihma dhe fshatrave e qyteteve të Krujës dhe Fushë Krujës. Ai shtoi se në takimet e tij me Kryebashkiakët italianë e francezë ka rënë dakort të krijohet një urë bashkëpunimi për ndihma. Kryebashkiaku tha se po merr fund regjistrimi i kompjuterizuar i te ardhurve./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj