Kryetari i Bashkisë Tropojë takim me dyer të mbyllura me Kryeministrin Meta (13 Shkurt 2001)
Kryeministri Meta dje në mbrëmje vonë ka pritur në zyrën e tij, kryetarin e Bashkisë Tropojë Shpend Demiraj me kërkesë të këtij të fundit. Demiraj i ka kërkuar Metës që të ndikojë në qetësimin e situatës në qytet. Ai ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me keqtrajtimin nga Policia ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Tropojës, Azgan Haklaj. Meta u shpreh se është kundër ngritjes së tensioneve politike të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse largojnë investitorët dhe e parqesin Tropojën një vend të pasigurt për të tjerët.
Përsa i përket çeshtjes Haklaj, ai tha se ka kërkuar të hetohet rreth pretendimeve të tij për keqtrajtim. Ndërkohë Meta dhe Demiraj kanë folur dhe për problemet e mëdha ekonomike dhe sociale të qytetit verior. Kryeministri i premtoi kryebashkiakut të Tropojës se do të ndërhyjë për të realizuar asfaltimin e rrugëve kryesore të qytetit, kanalizimet e ujërave të zeza, rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës, Bibliotekës, muzeut e të tjerë.
Meta tha se qeveria do të japë bursa për studentët tropojanë të cilët rrezikojnë të lënë shkollën për shkaqe ekonomike të familjeve të tyre. Takimi i kryeministriti me kryetarin e Bashkisë Tropojë ka zgjatur për rreth një orë e gjysmë dhe ka përfunduar me një kafe në Hotel Rogner. Ndërsa sot Meta dha urdhër që makina e tij fuoristradë t’i jepet Bashkisë së Tropojës./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego