Kryetari i KKRT Sefedin Çela sqaron vendimin për televizionet lokale – (5 Prill 2002)
Lajme Arkiva – TV Klan 2002
Kryetari i KKRT Sefedin Çela, ka sqaruar sot, nëpërmjet një konference për shtyp, se vendimi i fundit për shkyçjen e transmetuesve të televizioneve lokale, të cilët kanë okupuar në mënyrë arbitrare frekuenca jashtë zonës së tyre të licencimit është bërë konform ligjit.
Sefedin Çela:- “Disa media elektronike, që në mënyrë arbitrare dhe të paautorizuar kanë okupuar frekuenca, duke vendosur impiante shpërndarës sinjali, jashtë zonës së licencimit, kanë reaguar në mënyrë të njëanshme, emocionale, dezinformuese dhe me keqinterpretime. Duke konsideruar shqetësimin e tyre, por edhe shqetësimin e gjerë publik, për zhvillimin e mediave, KKRT sqaron: subjektet radiotelevizive janë njoftuar e paralajmëruar për pasojat ligjore e veprimeve të tilla. Shkelësit e gjobitur ende nuk kanë paguar gjobat. Për rregullimin e gjendjes, sipas kushteve të caktuara në licencë dhe në ligj është kërkuar ndërhyrja e policisë tatimore e ngarkuar nga KKRT. Vendimet e KKRT, nëse pretendohet se s’janë të mbështetura ligjërisht mund të ankimohen në gjykatë”.
Pas kësaj kryetari i KKRT Çela ju përgjigj disa pyetjeve të gazetarëve të mediave lokale, se ndëshkimet e operatorëve kanë bazë ligjore, për të cilat ata janë licencuar. Çela ka hedhur poshtë mendimet se frekuencat mund të ndahen në bazë të audiencës, pasi licencat e operatorëve si kombëtar e lokal për transmetimet e tyre i kanë të përcaktuara./tvklan.al