Kryetari i PS, konflikti Meta-Nano – (15 Korrik 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ashpërsohet beteja për kryetarin e ardhshëm të Partisë Socialiste në prag të Kongresit të 3-të. Zv/kryeministri Meta në emisionin e Tv Klan “E diela debat” ka dalë hapur në përkrahje të kandidaturës së kryeministrit Majko, ndërkohë që për rikthimin e Nanos në krye të parisë ka deklaruar se ky rikthim do të sillte destabilizimin e vendit.
Zv/kryeministri Ilir Meta:- “Majko kryeministër dhe një tjetër që sulmon Majkon kryetar partie, do të thotë një qeveri tjetër dhe do të thotë edhe shumë pasoja të tjera. Përveç kësaj unë mendoj se socialistët nuk kanë kohë të humbin të krijojnë një qeveri të re dhe të zgjedhin kryeministër të ri”.
Vetë Nano ndoshta po vazhdon fushatën në bazë nuk ka nguruar ti kundërpërgjigjet Metës.
Socialisti Fatos Nano:- “Në qoftë se e ka thënë kështu atëhere ka probleme serioze konceptualiteti dhe botkuptimi politik, sepse nëse do të viheshim në rresht pas çdo qeverie të gjithë shqiptarët do të ktheheshim para ’90 dhe do të merrte fund politika”.
Gazetari:- Çfarë do të sillte ardhja juaj në krye të PS?
Socialisti Fatos Nano:- “Mesazhet e mija janë ato të shumicës së shoqërisë civile shqiptare, pra rregulla standarte, institucionale, ekonomike dhe të forcimit të autoritetit të ligjit të cilat mungojnë”.
Gazetari:- Mendoni se Meta gabon?
Socialisti Fatos Nano:- “Meta spekullon. Për fat të keq spekullon me vetëveten dhe duhet ta kuptoj këtë sa s’është vonë”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame