Kryetari i PS Nano në Gjirokastër – (15 Qershor 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Konferenca e radhës e Partisë Socialiste, ku kryetari Nano ishte i deleguar është zhvilluar sot në Gjirokastër. Kryetari i PS e ka parë të lidhur shtetin me partinë e tij dhe në këtë kontekst është shprehur se nuk mund të ndërtosh një shtet modern pa një parti moderne. Në Gjirokastër tha Nano në fjalën e tij, angazhimet tona do t’i realizojmë 100% dhe do të administrojmë mirë politikisht të gjitha shancet politike.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Besoj se edhe ju jeni të qartë siç u shfaqët edhe këtu, për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, nga pikëpamja e mbylljes së ciklit institucional të normalizimit të pushteteve në Shqipëri”.
Duke analizuar firot në angazhimet elektorale të socialistëve, kryetari i PS tha se ato lidhen me dy faktorë, së pari me nivelin e fundosur ku e kishte zhytur Berisha administratën, si dhe me shpërdorimin e fondeve nga hajdutët e Berishës të cilët sipas Nanos administrojnë rreth 80% të pushtetit lokal. Vetë angazhimi i socialistëve dhe besimi e garancia e partnerëve perëndimor kanë bërë sipas kryetarit të PS që socialistëve shqiptarë t’u ngarkohet misioni i mbylljes së tranzicionit shqiptar./tvklan.al
Gazetare – Mimoza Picari