Kthimi dhe kompensimi i pronave
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës pritet të diskutojë mbi ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” në Shqipëri, në mbledhjen e radhës, që do të mbahet këtë muaj në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thornbjorn Jagland, i cili e siguron se shqetësimet e ngritura nga kreu i shtetit shqiptar mbi këtë çështje do t’i përcillen Komitetit të Ministrave. Ky organ po e mbikëqyr nga afër çështjen, në kuadër të zbatimit të një vendimi pilot të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut më 31 Korrik 2012.
Më 23 Shkurtit të këtij viti ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese e Shqipërisë, pas ankimimit të Presidentit, i cili e ka konsideruar si të papajtueshëm me kushtetutën.
Kreu i Shtetit vlerëson se ligji në tërësinë e tij cënon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut.
Në kërkesën drejtuar kushtetueses, Nishani shkruan se ligji bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjithashtu institucioni i presidentin gjykon se ligji vendos një skemë kompensimi aspak realiste, përsa kohë nuk ekziston një numër i saktë dhe përfundimtar i vendimeve administrative dhe gjyqësore lidhur me kompensimin e pronës.
Kreu i shtetit e kishte kthyer për rishqyrtimin ligjin në parlament, por shumica e rrëzoi dekretin e tij në seancën e datës 21 Janar.
Tv Klan