Kthimi i refugjatëve – (2 Korrik 1999)


Kthimi i refugjatëve – (2 Korrik 1999)

16:16 02/07/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Ka arritur në 301 mijë numri i kosovarëve që janë kthyer tashmë në Kosovë nëpërmjet pikës doganore të Morinës në rrethin e Kukësit dhe asaj të Qafë Prushit në rrethin e Hasit. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë larguar në mënyrë të organizuar 500 vetë kryesisht nga Prizëreni, nga Prishtina dhe Rahoveci si zona më të sigurta nga rreziku i minave.

Ndërsa numri i të kthyerve me mjetet e tyre apo të marra me qera dje ka arritur në 13233 vetë. Sipas burimeve të policisë kufitare gjatë ditës së sotme deri në mesditë, kanë kaluar në pikën doganore të Morinës 5242 kosovarë prej të cilëve 1000 në mënyrë të organizuar me mjete të UNHCR-së.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim dhe UNHCR-së dje nga Maqedonia janë kthyer në Kosovë 393 refugjatë kosovarë, të cilët ishin vendosur nëpër kampe. Ndërkohë kthimi i organizuar i kosovarëve nga stacioni hekurudhor i Mjedës 15 km larg Shkodrës, ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.

Zëdhënësi i Prefekturës së Shkodrës ka deklaruar se rreth 1800 kosovarë të mbrritur në Mjedë nga prefekturat e tjera të vendit janë nisur sot për në Kukës me mjete të ushtrisë Shqiptare dhe të Natos, për të vazhduar më tej rrugën për në drejtim të Kosovës. Të ardhurit e sotëm kanë mbrritur në këtë stacion nga qendrat e pritjes në kampingjet e Elbasanit, Durrësit dhe Lëzhës./tvklan.al






Të ngjashme