Ku përfundoi droga e Divjakës?
Pranë zonës së uljes është kapur mjeti tip Mitsubishi, në të cilin u gjetën e bllokuan në cilësinë e provës material disa çanta me 211.8 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Gjithashtu në largësi rreth 200 metra nga avioni u gjetën dhe disa çanta të tjera me 94 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa dhe më pas është kapur përdoruesi i mjetit.
Por kjo sasi është e ndryshme nga ajo që deklaroi ministri Tahiri në daljen e pare zyrtare të datës 10 Maj për të informuar në lidhje me ngjarjen.Nga ajo çka thotë ministri dhe nga kjo që shkruhet në këtë komunikatë operative e policisë rezulton që nga e gjithë ngarkesa e llogaritur për tu trafikuar mungon një sasi prej 150 kilogramësh drogë. Ende nuk dihet nëse ky detaj do t’i shërbejë çështjes tashmë nën hetim nga prokurorët e krimeve të rënda. Foto dhe dëshmi nga vendi i ngjarjes ngrenë dyshime të arsyshme se një pjesë e lëndës narkotike është larguar nga vendi i ngjarjes.Veç lëndës narkotike të llojit kanabis në avion dyshohet të ketë patur droga të rënda.Edhe vetë ministri Tahiri, pasditen e të shtunës foli për kanabis dhe lëndë tjetër narkotike.Edhe agjencia italiane e lajmeve ANSA ka raportuar për kanabis dhe drogë tjetër të gjetur në Divjakë. Deklaratat e vetë ministrit të Brendshëm, apo njoftimet e mediave tashmë edhe përtej Adriatikut kanë ngritur hije dyshimi se në avion mund të ketë patur kokainë apo heroinë, të marrë në Rinas e që ndoshta është larguar nga vendi i ngjarjes nga tre fuoristradat e tjera që arritën t’i shpëtonin policisë, siç tregoi në Prokurori vetë trafikanti Sajmir Bajrami në dëshminë e dhënë prokurorëve. Policia i ka mohuar këto zëra.TV KLAN