Kufiri me Malin e Zi, seanca e radhës shtyhet për në Shtator


Kufiri me Malin e Zi, seanca e radhës shtyhet për në Shtator

20:30 10/08/2016

Kryesia e parlamentit të Kosovës, vendosi të mërkurën që seanca e radhës plenare të mbahet më 1 Shtator, ku do të shqyrtohet Projektligji për Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Vendimi u mor pas ndërprerjes së mbledhjes, pasi Lëvizja Vetëvendosje hodhi sërish gaz lotsjellës.

Kosova po përballet prej gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e Pavarësisë, në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të enjten, qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën, për mbi 8 mijë hektarë dhe si e tillë është e papranueshme.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

/Zëri i Amerikës






Të ngjashme