Kukan: Shqipëria po vonon reformën zgjedhore


Kukan: Shqipëria po vonon reformën zgjedhore

20:42 30/01/2017

Raportuesi në hije për Shqipërinë , Eduard Kukan ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Shqipëria të përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe se është shqetësuese që afatet për reformën zgjedhore nuk po respektohen.

Eduard Kukan, eurodeputet:

I bëj thirrje politikanëve shqiptarë që të përshpejtojnë për përgatitjet e zgjedhjeve. Duhet të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe shpreh shqetësim për mungesën e progresit në kalimin e legjislacionit të nevojshëm në Parlament.

Në debatin e zhvilluar për draft-rezolutën për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian mesazhi kryesor që raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein ka përçuar ishte se hapja e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE duhet të nisë me fillimin e zbatimit të ligjit të Vetting-ut.

Por eurodeputetët e tjerë konsiderojnë se momenti i duhur për hapjen e negociatave të anëtarësimit është pas zgjedhjeve të 18 qershorit.

Shqipërisë i kërkohet përshpejtimi i zbatimit të reformës të administratës civile, që nuk po ecën me ritmet e pritura si dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit./ TV KLAN






Të ngjashme