Kukës, refugjatët e ardhur (30 Prill 1999)
Gjatë ditës së sotme në pikën doganore të Morinës mësohet të kenë kaluar tetë mijë të ardhur nga Kosova. Kjo për shkak të ardhjeve nga qyteti i Prizrenit. Forcat ushtarake serbe kanë hyrë në qytetin e Prizrenit duke terrorizuar, vrarë dhe plaçkitur dhe duke urdhëruar shqiptarët të lënë banesat e të drejtohen në kufirin e Shqipërisë.
Sipas dëshmitarëve dhjetëra e qindra makina të mbushura me njerëz janë duke mbërritur në Doganën e Morinës. Sot Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Meri Robinson ka akuzuar Millosheviçin për vazhdimin e spastrimit etnik. Robinson shpreson që shumë shpejt të mbërrijë në Ballkan për t’u takuar me Presidentin Jugosllav Millosheviç, por dhe për të bërë të njohura vuajtjet e viktimave.
Mësohet se sot forcat serbe kanë bombarduar disa zona kufitare të rrethit të Kukësit. Rreth 20 predha kanë rënë në fshatrat e komunës së Zabotit në fshatin Mborje, si pasojë ka patur dy shtëpi të dëmtuara dhe një kabinë elektrike. Bëhet e ditur se këto bombardime në rrethin e Kukësit bëhen në shenjë hakmarrje ndaj një sulmi të bërë gjatë natës nga NATO ndaj një baze ushtarake të ushtrisë serbe në qytetin e Dragashit. Banorët në rrethin e Hasit dhe të Tropojës, me kohë janë larguar nga vatrat e tyre./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj