Kukësi drejt Vlorës për vazhdimësinë
Kukësit i kërkohet të qëndrojë në hapin e Skënderbeut të vendit të parë dhe presioni përpara Flamurtarit është i pashmangshëm, por për trajnerin Milinkoviç kjo është një ndeshje si gjithë të tjerat.
“Unë po punoj çdo ditë me mendimin se do të rri shumë gjatë te Kukësi. Më ka sjellë presidenti këtu dhe nuk e shikoj presionin më të madh në ndeshjen e radhës. Duhej të kishim më shumë pikë në këto momente, por kampionati mbaron në fund të majit. Besoj se me Flamurtarin do të marrim rezultat pozitiv. Flamurtari ka gjendje dhe psikologji të mirë, pas fitores me Partizanin. Por nëse lojtarët e mi shfaqin atë që bënë në stërvitje gjatë javës, jam i bindur se do të dalim triumfues nga Vlora.”
Golashënuesi më i mirë i kampionatit Elis Bakaj e konsideron Flamurtarin si një rival për titull kampion.
“E kam thënë se Flamurtari është një ekip mjaft i fortë dhe rival për titullin kampion. Pavarësisht kësaj, ne do të shkojmë për fitore në Vlorë. Besojmë te forcat tona dhe sigurisht do të mundohemi të marrim maksimumin.”
Por Shpëtim Duro ul tonet duke thënë se një fitore me kampionët aktualë do të ndikojë më shumë tek morali i skuadrës se tek rritja e objektivit.
Në Vlorë do të presin Kukësin me stadiumin bosh, pas dënimit nga federata e futbollit. /Tv Klan