Kukësi, qyteti i mikpritjes së madhe (12 Tetor 2000)
Kronikat e kohës të kthejnë në karvanet e gjata njerëzish. Burra, gra, të moshuar e fëmijë, të përzënë me dhunë nga shtëpitë e tokat e tyre në Kosovë. Mrapa kanë lënë gjithçka, ndërsa porta e hyrjes në Shqipëri është Kukësi. Qytet i cili deri vite më parë njihej nga lumi Drin, por që tani nuk njihet vetëm nga ne, por nga e gjithë bota si qyteti i mikpritjes së madhe. Ajo që përballoi qyteti i vogël është vështirë të përshkruhet me fjalë.
15 mijë banorët e tij pritën, mbajtën me bukë dhe ndihma 450 mijë të ardhurit nga Kosova. Në kronikat e kohës jo vetëm në televizionet shqiptare, por në të gjitha stacionet botërore raportet bëheshin direkt nga Kukësi. Atje ku dhimbja, dashuria, bujaria e vëllezërve shqiptarë pulsonte më shumë.
Tani qyteti i përmbytur dikur nga Drini është renditur mes 6 pretendentëve të çmimit të madh Nobel me atributin e madh të mikpritjes dhe dashurisë njerëzore./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori