Kukësi rikthen në skedar Pero Pejiç


Kukësi rikthen në skedar Pero Pejiç

16:05 30/07/2016

Një goditje e tillë quhet e madhe. Të tillë e ka bërë Kukësi duke kthyer në skuadër Pero Pejiçin.

Sulmuesi kroat, pas një sezoni të kaluar në Iran, ka vendosur të vijë përsëri në Shqipëri, të paktën sipas lajmërimit të nxjerrë në faqen zyrtare të klubit.

Nuk bëhen të ditura detajet e transferimit, por besohet se presidenti Gjici ka qenë i detyruar të ofrojë një kontratë financiarisht të lartë për të bindur futbollistin që mbetet i rëndësishëm, megjithë moshën 33-vjeçare.

Vetë Pejiç nuk ka bërë komente, ndërsa po kalon pushimet e verës së bashku me familjen në qytetin e tij të lindjes, Split të Kroacisë.

Me rikthimin e sulmuesit, skuadra kukësiane rrit shanset e saj për të fituar më në fund titullin kampion, trofe që po e kërkon prej 4 vjetësh pa mundur ta arrijë.

Ai shënoi 31 gola në 35 ndeshje në sezonin 2014-2015, ndërsa edhe më parë ka qenë I suksesshëm në futbollin shqiptar.

Fillimisht, Pejiç u afrua në Superligë nga Dinamo, në vitin 2007, dhe që prej asaj kohe luajti edhe për Tiranën, Flamurtarin dhe Skënderbeun, me të cilin fitoi edhe dy tituj kampion.

Tv Klan






Të ngjashme