Kukësi-Tirana, kryendeshja e javës
Dede: Jemi favoritë edhe sikur të luajmë me 18-vjeçarët
Tirana do të luajë me Kukësin këtë të mërkurë në Elbasan dhe kjo shikohet si ndeshja më e rëndësishme e javës së dhjetë. Bardheblutë kanë marrë 7 pikë në 3 ndeshjet e fundit dhe kjo i bën optimistë që do të vijojnë në këtë mënyrë. Madje trajneri Nevil Dede beson se edhe me të rinjtë mund të arrijë rezultat.
“Sikur edhe me 18-vjeçarë të luajmë ne, do jemi më superiorë se ata”.
Teuta do të luajë me Skënderbeun në Korçë. Skuadra durrsake më në fund u kthye javën e kaluar te fitorja pas shumë barazimeve. Trajneri Edi Martini beson se ekipi do të jetë më i qetë në sfidat që e presin.
“Pikët janë ato që të qetësojnë dhe them se ky trepikësh do të jetë një kthesë për të bërë mirë edhe në ndeshjet e ardhshme”.
Ndërsa trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, tha: “Besoj se kemi forca për të përballuar ndeshjen dhe për të marrë maksimumin”.
Vllaznia kryesuese do të luajë në fushën e Apolonisë. Shkodranët vijnë nga një humbje me Laçin.
“Edhe pse do të luajmë me vendin e fundit duhet ta marrim seriozisht si të jemi përballë ekipit më të mirë dhe që të marrim një rezultat sa më pozitiv”.
Po për javën e dhjetë të Superligës, Partizani do të presë Kastriotin, ndërsa Laçi do të përballet me Bylisin.
Tv Klan