Kundër fishekzjarreve, mbi 1 mln australianë kërkojnë anulimin e traditës
Për shkak të spektaklit të fishekzjarrëve, Harbour Bridge është një ndër asetet më të rëndësishme turistike në Australi. Mijëra njerëz prenotojnë biletën për të qëndruar në vijën e parë për të shijuar hedhjen e fishekzjarrëve në datën 31 Dhjetor që janë më të famshmet në të gjithë botën.
Po ndryshe nga vitet e tjera, kur magjia e fishekzjarrëve mahnit këdo, viti 2020 mund të pritet pa këtë spektakël. Të paktën kështu mendojnë mbi 1 milion njerëz, që i janë drejtuar me një peticion qeverisë, për të anuluar fishekzjarret në Harbour Bridge. Ata kërkojnë që paratë e spektaklit të shkojnë për të fikur zjarret që po shkatërrojnë prej muajsh Australinë, në shumë rajone.
Ideja për ta përdorur Urën e Sidnejit si spektaklin e fishekzjarreve nisi në vitin 1995 dhe çdo vit më pas ky atraksion është emblema e pritjes së Vitit të Ri. Ajo u transmetua për herë të parë në televizor në 31 dhjetor 1995 dhe i gjithë spektakli zgjati plot 23 minuta përfshirë edhe Kullën e Sidnejit.
Pas vitit 1995 hedhja e fishekzjarrëve u bë njëherë tek Kopshti Botanik dhe njëherë tjetër tek Opera e qytetit më e bukura për sa i përket planimetrisë . Por më pas do të ishte Komiteti i Sidnejit, i cili do të vendoste se ura Harbour Bridge do të ishte kryesorja ku të gjitha evenimentet, por edhe festat si Krishtlindjet dhe Viti i Ri do të organizoheshin vetëm në këtë urë.
Për çdo vit hedhja e fishekzjarrëve bëhej me një temë të caktuar si për shembull: Fytyra e Buzëqeshur, Shpirti i botës, Krijimi i Diellit si edhe për vitin që do të vijë “Energjia e Sidnejit” etj.
Por këtë vit spektakli duket një luks për shumë njerëz, pasi vendi po përballet me një emergjencë me përmasa historike për shkak të zjarreve shkatërruese. Temperaturat e larta mbi 40 gradë po i përhapin në mënyrë të frikshme flakët dhe situata pritet të përkeqësohet më tej për shkak se Australia po përjeton një prej thatësirave të mëdha.
Klan Plus