Kundërshtohet betonizimi i aeroportit të Gjirokastrës


Kundërshtohet betonizimi i aeroportit të Gjirokastrës

15:30 19/05/2014 COBANI-GJIROKASTERBetonizimi i aerodromit të Gjirokastrës nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për të penguar çdo tentativë trafiku të lëndëve narkotike përmes ajrit, është kundërshtuar ashpër nga këshilltarët demokratë në Bashkinë e këtij qyteti.  Sipas tyre, një veprim i tillë nuk ka ndodhur as në kohën e diktaturës, pasi prej vitesh thonë ata, ky aerodrom ka shërbyer për trasportin e të sëmurëve në gjendje të rëndë drejt kryeqytetit dhe si një mundësi e mirë për zhvillimin turistik të zonës.

Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Gjirokastrës thonë se më 4 prill ata i janë drejtuar me një shkresë kryeministrit Rama për vendosjen në funksion të plotë të këtij aerodromi, i cili ndodhet vetëm 500 metra larg rajonit të policisë. Ministrisë së Mbrojtjes i kujtojnë se, parandalimi i çdo trafiku të mundshëm ajror bëhet përmes radarëve, të cilët thonë se nuk ekzistojnë.

Pista e aerodromit të Gjirokastrës u bllokua pak ditë më parë nga Forcat e Ushtrisë me blloqe të mëdha betoni, ndërsa aerodromi u vu nën mbrojtjen e Ushtrisë, sikundër ndodhi dhe me atë të Gjadrit në Lezhë dhe Lumasit në Korçë. Sipas ekspertëve ushtarakë aerodromë me përmasa të vogla, si ky i Gjirokastrës, apo ai në Lumasit në Gjadër, nuk kanë nevojë të betonizohen, pasi për ruajtjen e tyre mjafton vetëm një ushtar.

TV KLAN





Të ngjashme