Kundërshtohet projektligji për financimin e partive
Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të kundërshtojnë Projektligjin për financim të subjekteve politike.
Në protestën e organizuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se miratimi i një ligji të tillë nga Kuvendi do të thotë kundërshtim i të gjitha standardeve ndërkombëtare për financimin e subjekteve.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile kemi vendosur që ta bojkotojmë punën në këtë grup këshillues përderisa Qeveria apo Kuvendi i Kosovës nuk e tërheqë këtë projektligj për financimin e subjekteve politike në Kosovë”, u shpreh aktivisti Valmir Ismaili.
Ismaili tha se do të vazhdojnë takimet me aktorë politikë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të marrin vendim për hapat e mëtejshëm.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti i ka bërë thirrje shoqërisë civile të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në Komisionin Parlamentar për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor. Sipas Hotit, pa mbështetjen e tyre dhe pa pjesëmarrjen e tyre, nuk mund të ketë përmirësim në procesin zgjedhor në Kosovë.
Ditë më parë këto organizata në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare kanë organizuar një aksion simbolik, ku në selinë e PDK-së shoqëria civile u pengua nga rojat e partisë të zhvillojë aktivitetin e saj.
Tv Klan