Kur do kthehemi në jetën normale


Kur do kthehemi në jetën normale

17:50 21/03/2020

Ekspertët: Duhen gjetur politika afatgjata

Koronavirusi ka bërë që e gjithë bota të mbyllet brenda. Vendet simbol të lëvizjes së qytetarëve janë kthyer tashmë në fantazma. Shkolla dhe biznese të mbyllura.

Asnjë tubim masiv, asnjë ndeshje futbolli apo koncert rroku. Të gjithë tashmë po pyesin sa do të zgjasë e gjithë kjo dhe kur do të kthehemi në jetën normale?

Presidenti amerikan Donald Trump ishte i pari që përmendi verën, muajt Korrik apo Gusht. Kryeministri britanik Boris Johnson tha se besonte që Mbretëria e Bashkuar mund të kthejë valën e infektimit brenda 12 javëve të ardhshme dhe bllokojë koronavirusin.

Por edhe nëse numri i të infektuarve mund të bjerë në 3 muajt e ardhshëm, gjithsesi ekspertët thonë se fundi i sëmundjes do të jetë ende larg.

Sipas tyre mund të duhet një kohë shumë më e gjatë, ndoshta vite. Dhe nëse kjo ndodh shoqëria duhet të gjejë strategji afatgjata për të shpëtuar nga kolapsi i mbylljes së ekonomisë pasi dëmi social do të ishte katastrofik.

BBC citon Mark Woolhouse, profesor i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive në Universitetin e Edinburgh. Ai thotë se ende asnjë vend nuk ka një strategji daljeje nga situata.

Edhe nëse një vend e ul numrin e të infektuarve, heqja e kufizimeve e bën të pashmangshëm rikthimin. Sytë janë kthyer së pari nga vaksina, por për të pasur rezultate duhen të paktën 18 muaj.

Të tjerë ekspertë thonë se shpresojnë te imuniteti natyral që njeriu do të krijojë nga virusi, por kjo do të kërkojë të paktën 2 vjet. Opsioni i tretë është ndryshimi i sjelljes njerëzore duke i kushtuar më shumë kujdes higjienës personale, por kjo nuk jep garanci.

Tv Klan






Të ngjashme