“Kur dola nga Blloku kuptova që kishte edhe një botë tjetër”


“Kur dola nga Blloku kuptova që kishte edhe një botë tjetër”

Autori: Blendi Fevziu

23:36 20/01/2005

Avokat Spartak Ngjela, i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ka folur për jetën e tij jashtë politikës.

Ai tregoi se kur kishte dalë në qytet, jashtë Bllokut kishte kuptuar se kishte edhe një botë tjetër, siç e quante ai. Por sipas tij kontakti me këtë botë ishte i ndaluar dhe si pasojë e kësaj lindi edhe rebelimi.

“Familja ime ka qenë e njohur në kohën e komunizmit, me dy anë të medalies. Kur kam lindur unë  njëri ka qenë ministër i Tregtisë dhe tjetri zv.ministër.  Lagja ku banoja unë, në Bllok ku banonin vetëm sovjetikë dhe nomeklaturë e lartë. Kur kam dalë në qytet kam kuptuar se kishte edhe një botë tjetër. Diktatura nuk të linte të flisje me këtë botë dhe rebelimi im ndaj erdhi. Në shtëpinë time nuk kam dëgjuar asnjëherë të thuhej shoku Enver. Rritja e kultit të tij ka filluar pas fjalimit të 1967-ës”, tha Ngjela.

Ai gjithashtu quajti komunizmin në Shqipëri terrorizëm shtetëror, ndërkohë që tregoi edhe jetën në burg përgjatë 18 viteve të qëndrimit atje. Sipas tij jeta në burg ishte e frikshme sepse presioni psikik ishte i madh.

 “Komunizmi në Shqipëri quhet terrorizëm shtetëror. Në këtë terrorizëm shtetëror makina që të ecë do karburant dhe karburanti ishin armiqtë, realë apo jo. Diktatura e mban vertikalisht shtetin nën terror. Këtu kishte një terrorizëm gjigand në funksion të krimit. Brenda kësaj frike situata qe e tendosur. Shoqëritë e varfra e kanë të vështirë të krijojnë kulturë. Unë kam qëndruar në burg rreth 18 vjet. Jeta atje ishte e frikshme, sepse këta të dënonin në burg. E kishin shtuar dhe më tepër presionin psikik ndaj të burgosurit, sepse duke qenë atje mirë e bukur, ti ishte gati duke mbaruar dënimin, kishe bërë 7 vjet burg dhe vetëm kur papritur të merrnin dhe të dënonin dhe me 10 vite të tjera me dëshmitarë të dalë nga burgu. Pra, kishte dhe këtë presion psikik, i cili devijonte karakteret në burg, nxirrte dëshmitarë, kishte spiunë që të spiunonin dhe të ndiqnin. Dhe ishte pothuajse e njëjta situatë sikur ishte dhe jashtë, në kuptimin e presionit psikik ose psikologjik. Por ti duhet të shkëputeshe nga ai ambient. Këtu duhet të tregoje forcën tënde. Unë në burg kam mbajtur qëndrime monarkiste dhe njerëzit që më kanë bërë oferta politike i kam njohur që atëherë. Kam qenë i pari që kam thënë konkretisht përse duhet një referendum dhe ata më vlerësuan”, u shpreh Ngjela./tvklan.al






Të ngjashme